Tiranë | Rama: 2013-ta, viti i shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur dje konferencën e fundvitit, ku ka përmbledhur 100 ditët e para të qeverisjes por edhe ka shpallur prioritetet për vitin 2014. “Edhe pse 100 ditë janë fare pak për punët e mëdha për të cilat jemi zgjedhur, ato mjaftuan për të përcaktuar qartë kursin e ri të drejtimit të Shqipërisë nga e ardhmja. Buxheti i vitit 2014 dhe vendosja e taksimit të ndershëm, përbëjnë shprehjen më kuptimplotë të ndryshimit që përcaktoi për Shqipërinë vota e 23 qershorit.”, tha kreu i qeverisë. Z. Rama edhe një herë tha se ishin 97% e shqiptarëve që kontribuojnë në arkën e shtetit, që vendosën të taksohen më pak ndërsa renditi disa prej detyrave të qeverisë në vitin e ardhshëm. “Zotimi ynë për të pasur, brenda 300 ditësh, një polici të shtetit në lartësinë e detyrës së vet në mbrojtje të njeriut e të pronës publike e private, do të jetë realitet i padiskutueshëm i vitit 2014. Rikthimi i Ministrisë së Drejtësisë në rolin e vet kushtetues e ligjor, duke rimarrë distancën e munguar deri dje nga krimi, korrupsioni, paligjshmëria dhe padrejtësia e kudondodhur, është vetëm fillimi i rrugës së një reforme të thellë të sistemit të drejtësisë. Një politikë e jashtme e mbështetur fort në vijën përcaktuese të interesave tona kombëtare dhe aktive në promovimin e një Shqipërie të re. Rivendosja në vend e dinjitetit të njeriut të zakonshëm. Shlyerja e borxheve të papërgjegjshme dhe kërcënuese për ekonominë tonë ndaj kompanive. Qasja e re ndaj fshatit, politikat e reja të zhvillimit rural, investimet e reja në mbështetje të familjeve që jetojnë në fshat. Rimarrja e kontrollit mbi pasuritë tona kombëtare. Vendosja e një rendi të ri ligjor mbi sistemin elektroenergjitik.” Ndërsa në seancën e pyetje-përgjigjeve me gazetarët e pranishëm, kreu i qeverisë foli për statusin e kandidatit duke u shprehur se “Ne do të bëjmë gjithçka që ne na takon që qershori të jetë momenti i vendimit të duhur për Shqipërinë.” Por kryeministri foli edhe për ato që cilësohen “rryma ekstremiste të cilat ndikuan në mos marrjen e statusit të kandidatit” duke u shprehur se ato janë problem i BE-së. “Ata nuk e fshehin, është shprehur kryeministri, s’kemi pse e fshehim dhe ne, që përkatësia e një pjesë të popullsisë sonë ndaj fesë myslimane, prej tyre konsiderohet si problem. Ndërkohë që, përsa më takon, fakti që Shqipëria është një vend multireligjioz dhe i bashkëjetesës në harmoni mes feve është një vlerë e shtuar për ne. Jo vetëm që unë dhe besoj të gjithë bashkë duhet t’i neverisim këto forca dhe këto pikëpamje, por me krenari për këtë vlerë dhe për këtë harmoni, që ne e shprehim zakonisht kur kemi festat tona fetare, ne duhet t’i shohim në sy të gjithë dhe t’ju themi se ne nuk lejojmë askënd që të stigmatizojë Shqipërisë si të tillë apo si të atillë.” Në përfundim kreu i qeverisë Rama ka falenderuar të gjitha mediat, por dhe të gjithë shqiptarët për mbështetjen ndaj qeverisë.

Advertisement