Kosova pret vitin e 15-të në liri dhe shkon drejt 2014-ës me 104 njohje shtetesh anëtare të OKB-së, nga të cilat 8 brenda vitit 2013. Kryeqyteti, Prishtina, që nga ngritja e mijëra flamujve kuq e zi për 28 Nëntorin e 101 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë vazhdon gëzuar me atmosferën e festive, tash të fundvitit. Mesnata e ndërrimit të viteve në qytetet kosovare do gjejë mijëra njerëz në sheshe, si tradicionalisht në vitet e lirisë dhe pavarësisë. Në Prishtinë ka edhe protestë të familjarëve që kërkojnë ende zbardhjen e fatit të më shumë se 1700 të zhdukurve të luftës, ndërkohë që në Serbi, në lokalitetin Rudnicë, afër kufirit verior të Kosovës është zbuluar këtë fundvit edhe një varrezë tjetër masive, ku kanë dashur të mbulojnë e zhdukin edhe gjurmët e krimeve makabre. Në “Statistikat e Lindjeve 2012” janë regjistruar gjithsej 34 932 lindje brenda dhe jashtë Kosovës. Në Kosovë janë regjistruar 27 912 lindje, kurse jashtë Kosovës 7020. Binjakë u lindën 390 foshnja, ndërsa trinjakë e më shumë u lindën 26 foshnja.Statistikat për vitin 2013, si zakonisht shpallen nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin vijues – në Vitin e Ri 2014.