Tiranë | 984 masa për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor

Shërbimet e policisë do të ndëshkojnë pa hezitim të gjithë ata drejtues të automjeteve, të cilët shkelin dispozitat e qarkullimit rrugor, si: parkime të gabuara, parkime dyshe, mos zbatim të sinjalistikës, parakalimet e gabuara, qarkullim pa leje drejtimi, për ecje tej normave të lejuara, për përdorim alkooli etj. Në një deklaratë për media, Policia e Qarkut Tiranë bën të ditur se Njësia Rajonale e Qarkullimit Rrugor Tiranë, është maksimalisht e angazhuar, për t`ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, për një lëvizje sa më normale në segmente të ndryshme rrugore. Në 24 orët e fundit nga shërbimet e policisë së Kryeqytetit qarkullimi rrugor së bashku me Patrullën e Përgjithshme, kanë vendosur në total 984 masa administrative kryesisht për moszbatim të sinjalistikës, ecje tej normave të lejuara dhe parkim të gabuar. Policia e Tiranës në vijim të punës së saj, kërkon edhe bashkëpunimin e përdoruesve të rrugës, si të këmbësorëve ashtu edhe të drejtuesve të mjeteve, për respektimin e dispozitave në fushën e qarkullimit rrugor. Në kuadër të këtyre masave , policia arrestoi sot në kryeqytet 3 shtetas për drejtim të mjetit në gjëndje të dehur dhe pa dëshmi aftësie.

Advertisement