Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit t’i kushtojnë vëmendje të veçantë situatës në zonat e prekura nga moti i keq dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qenë në gatishmëri të banorëve dhe nevojave të tyre. Gjatë kësaj mbledhje u ratifikua konventa C167 e Organizatës Ndërkombëtare të Punës “Për sigurinë dhe shëndetin në ndërtim”, në kuadër të plotësimit të standardeve të kërkuara gjatë procesit të stabilizim – asociimit, në lidhje me sigurimin e kushteve më të mira të punës për punëmarrësit në përputhje me standardet e vendeve të KE-së, ku vendi ynë synon të aderojë. Gjithashtu u ratifikua konventa C187 “Për kuadrin promocional të sigurisë dhe të shëndetit në punë”. Këshilli i Ministrave miratoi marrëveshjen e grantit me BERZH dhe Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim, prej 700 000 $ që synon përgatitjen e projektit të sigurisë dhe mirëmbajtjes rrugore, si dhe rritjen e kapacitetit të Autoritetit Shqiptar të Rrugëve në menaxhimin e aseteve rrugore dhe sigurisë rrugore. U miratua lejimi i Ministrisë së Arsimit për blerjen e sistemit office dhe softuare, për menaxhimin e laboratorëve të informatikës në shkolla” si dhe Shtëpia Botuese e Teksteve Mësimore për shtypjen e teksteve mësimore” dhe botimit të çdo lloj njoftimi prokurimi për këtë shërbim. Këshilli i Ministrave vendosi për rishpërndarjen e fondeve në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë si dhe lejimin e kësaj ministrie për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për disa institucione të varësisë, me fondet e miratuara në buxhetin e vitit 2013 për këtë ministri. Këshilli i Ministrave vendosi për pjesëmarrjen në stërvitjen shumëkombëshe të një kompanie këmbësorie të Komandës së Forcës Tokësore dhe të një toge të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura në Qendrën e Bashkuar Ndërkombëtare të Gatishmërisë, në Hohenfels, Gjermani. U miratua vendimi që synon kalimin e Komitetit Shtetëror për Kultet në varësi institucionale të ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për arsye se bashkërendimi i marrëdhënieve me komunitetet fetare është parashikuar si një nga fushat e përgjegjësisë së kësaj ministrie. U pezullua përkohësisht procedura e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara, si masë e përkohshme deri në realizimin e ndryshimeve ligjore në zbatim të politikave dhe programit të Këshillit të Ministrave. Nëpërmjet një tjetër vendimi u parashikua rritja e pagave për personelin mjekësor, mesatarisht me rreth 4%, konkretisht për 2800 mjekë dhe infermierë të sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalit Ushtarak të Forcës Tokësore.