“Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion.” Kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama, duke i dhënë fund odisesë së protestave kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. Shqipëria, vendi i vogël por me zemër të madhe që do të ndihmonte në shkatërrimin e armëve të regjimit vrastar që tronditi boten, nuk i ka kapacitetet e nevojshme. “A mund dhe a duhet t’u thoshte jo në parim Shqipëria Shteteve të Bashkuara, për një përpjekje kaq madhore në shërbim të njerëzimit? A mund të imagjinohej dhe të imagjinohet se Shtetet e Bashkuara i kanë hyrë kësaj përpjekjeje, për t’ia hequr armët kimike nga duart një vrasësi dhe pastaj për të vrarë me to Shqipërinë, apo cilindo vend tjetër aleat të përfshirë në këtë përpjekje?”, është shprehur Rama. Nuk mund të mbetej jashtë fjalimit të Kryeministrit tribuna e Partisë Demokratike por dhe keq informimi i publikut nëpërmjet disa mediave, që sipas kreut të qeverisë i kanë hedhur benzinë zjarrit të imagjinatës së qytetarëve. “Unë e di sa ju dhemb zonja e zotërinj opozitarë jo thjesht humbja e 23 qershorit, po ende më thellë, sa ju dhemb humbja e pushtetit mbi paratë e shqiptarëve dhe goditjet e njëpasnjëshme që po merr bota e ulët e krimeve ekonomike, të cilën e ndërtuar si një mallkim damkosës në trupin e Shqipërisë. Por që dhimbja juaj të ishte kaq e madhe, sa të kapeshit pas Asadit dhe bombave të tij, për të qëlluar me histeri edhe Amerikën përveçse qeverinë e mua personalisht, këtë vërtet nuk ma tha asnjëherë imagjinata. Ashtu siç nuk e mendoja dot se ju, që hodhët verbërisht në erë një copë Shqipërie, duke vrarë 26 shqiptarëve të pafajshëm dhe përvëluar qindra familje, do të guxonit të shkonit aq larg sa të bëni thirrje që të mos na përsëritet Gërdeci! Po pse, Shtetet e Bashkuara e shkaktuan Gërdecin, o “derra të kënaqun” migjenianë që sot luani rolin e “Sokratëve të përvuejtun” për këtë popull të cilin e latë rrugëve, mes plehrave, borxheve e përbuzjes së botës? Po pse, biznes për djalin tim dhe për biznesmenët e panginjur të oborrit tuaj, është ky operacion humanitar o ju që në Gërdec, i çmontonit armët me nëna të dëshpëruara e Lula të vocërr të varfërisë që e mbollët si sëmundje rreth Tiranës e në çdo cep të Shqipërisë? Lërini në marrinë e tyre ata që duan ta bëjnë përsëri lëmsh mendjen e këtij populli duke nxitur një antiamerikanizëm që na turpëron si komb, si vend, si shoqëri, si shqiptarë e si qytetarë.”, ka vijuar kreu i qeverisë. Me arsyetimin se përgatitja e një operacioni kaq të komplikuar nuk mund të jetë subjekt i debatit publik gjatë përgatitjes së tij, kryeministri Rama garantoi se në cdo moment gjatë diskutimeve intensive është përpjekur që supet e Shqipërisë të mos ngarkoheshin përtej mundësive. “Ne vërtet jemi të vegjël e të varfër, po ju siguroj se nuk bëhemi as më të mëdhenj as më të pasur, duke u ngutur të sillemi si të mëdhenj pa qenë të tillë dhe duke thirrur, “Shqipëri etnike pa armë kimike!” Sot është dita për t’ju thënë bravo sepse pavarësisht se nuk jemi dakord në një gjë kaq të rëndësishme, jemi në një tjetër, gjithmonë shumë të rëndësishme, që Shqipëria siç ka nevojë për qeveritarë të mirë, ka nevojë edhe për protestues të mirë. Shtetet e Bashkuara nuk vrasin njerëz, po janë vrarë e vriten, më shumë se të gjithë të tjerët, në fronte lufte për të mirën e njerëzimit.” Kryeministri Edi Rama ka numëruar të gjitha kërkesat që u ka paraqitur partnerëve, duke sqaruar edhe një herë për opinionin se në vendin tonë do të mbërrinin vetëm lëndët kimike të nxjerra prej armëve, ndërsa djegia dhe varrosja e mbetjeve do të bëhej tjetër kund.