Tiranë | Debate në Parlament për armët kimike, opozita kërkon anullimin e vizitës së Kryeministrit jashtë vendit

Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, në nisje të punimeve të seancës plenare i kërkoi Kryetarit të Kuvendit të spostojë axhendën e punimeve të ditës së sotme dhe të thërrasë Kryeministrin për t’iu përgjigjur shqiptarëve para Parlamentit, të cilët po protestojnë kundër sjelljes së armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. “Parlamenti nuk mund të ketë çështje më të rëndësishme për të diskutuar se çështja e armëve kimike për të cilën 4 milionë qytetarë kanë rrethuar Parlamentin sot. Z. Kryetar i Kuvendit, ju bëj thirrje të thërrisni Kryeministrin këtu, t’u japë llogari shqiptarëve”, deklaroi Halimi. Por Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, bëri të ditur se i ishte përgjigjur ftesës së ambientalistit Sazan Guri dhe kishte sqaruar protestuesit se Parlamenti ishte i tyre dhe se nuk ishte marrë asnjë vendim për armët kimike të Sirisë në territorin e Shqipërisë. “Asnjë vendim nuk do të merret jashtë dëshirës dhe vullnetit të tyre. Kështu që ju ftoj të gjithëve që para se të flasim për armët kimike të Sirisë të pastrojmë shpirtin tonë nga lëndët helmuese. Të mos biem pre e spekulimeve dhe të mos nxisim qytetarët dhe të rinjtë të lënë mësimet. Askush nuk mund të vendosë asgjë pa pyetur Parlamentin dhe pa dëgjuar zërin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Meta. Nëse kjo ju mërzit, iu drejtua ai opozitës, është çështje tjetër. Sot, tha ai, kemi një axhendë të ngjeshur. Deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke kërkuar anullimin e vizitës së Kryeministrit Edi Rama jashtë vendit, tha se “opozita nuk do të lejojë të hyjnë në Shqipëri armët kimike të Sirisë”. Duke akuzuar kryeministrin se ka gënjyer shqiptarët, duke u thënë se ende nuk është marrë një vendim për këtë çështje, Berisha tha sot në Kuvend se “për mëse 1 muaj një fantazëm frike dhe tmerri troket në portat e qytetarëve shqiptarë dhe kjo është fantazma e shndërrrimit të Shqipërisë në vendin e shkatërrimit të arsenalit më të tmerrshëm”. “Kryeministri i vendit ka bërë megamashtrimin më të madh në histori, së pari ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Ai premtoi në Nju Jork në tre takime të veçanta se Shqipëria mund të marrë përsipër këtë akt që e refuzoi Rusia, një nga sipërfaqet më të mëdha të planetit, e refuzuan SHBA-të, e refuzoi Britania, Norvegjia dhe shume shtete të tjera. Ky nuk është një vendim i NATO-s, por i qeverisë shqiptare”, theksoi Berisha, duke kërkuar që të vijë menjëherë kryeministri dhe t’u tregojë shqiptarëve se përse ka mashtruar. Berisha kërkoi të mblidhet me urgjencë Kryesia e Kuvendit për shqyrtimin e referendumit popullor për armët kimike. Më pas Kuvendi ndërpreu punimet e seancës si pasojë e bllokimit të foltores nga gratë deputete të Partisë Demokratike. Nën drejtimin e deputetes Mesila Doda, gratë demokrate në parlament këmbëngulën për praninë në seancë të kryeministrit Rama, për të dhënë llogari mbi çështjen e importimit të armëve kimike të Sirisë në vendin tonë. Sipas tyre, ka një mungesë të plotë transparence nga ana e qeverisë mbi këtë proces.

Advertisement