Tiranë | Konferenca “Lufta kundër korrupsionit”. Kryeministri Rama: themeli është modernizimi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “themeli në luftën kundër korrupsionit është modernizimi i çdo mekanizimi që shteti ka në strukturën e vet, i çdo institucioni dhe çdo shërbimi që shteti ka në detyrimet e veta”. Në konferencën kombëtare “Lufta kundër korrupsionit”, të organizuar nga Ministria për Çështjet Vendore, Kryeministri Edi Rama duke e cilësuar korrupsionin si një sëmundje të madhe theksoi se “qëllimi ynë është që të gjithë së bashku, të ndajmë këndvështrime lidhur me këtë sëmundje të madhe që fatkeqësisht karakterizon vendin tonë në sytë e familjes europiane dhe që prek qytetarët tanë”. “Ne jemi të vendosur që në luftën kundër kësaj sëmundje të kemi një qasje të re, të implementojmë politika të reja dhe të dëshmojmë një vullnet të ri për të ecur përpara dhe ta lehtësojmë Shqipërinë nga kjo sëmundje gërryese, dekurajuese dhe shpesh herë paralizuese për njerëzit”, tha Rama duke shtuar se ne jemi shumë të vendosur që të shkojmë përpara. Kryeu i qeverisë theksoi se “paketa jonë e reformave të konceptuara posaçërisht për të forcuar sistemin dhe për të mundësuar që mekanizmat e këtij sistemi të mund funksionojnë në mënyrë të atillë që ta bëjnë gjithmonë e më të mundshme përballjen me tundimin e korruspionit dhe me pasojat e korrupsionit, janë absolutisht të duhurat”. “Filozofia jonë është shumë e qartë; nuk janë njerëzit që e korruptojnë sisitemin, por është sistemi që i korrupton njerëzit”. Duke u nisur nga kjo filozofi, vijoi Rama, ne ndiejmë domosdoshmërinë e një reforme të gjithanshme në të gjitha fushat e planet për të bërë të mundur që sistemi të imunizohet nga korrupsioni. Sipas tij, nuk ka asnjë dyshim se kjo nuk është beteja ekskluzive e qeverisë, por po ashtu nuk ka asnjë dyshim se pa lidershipin e qeverisë, kjo betejë është thjesht dhe vetëm e pamundur. Lidhur me fuqinë ndëshkuese që është një domosdoshmëri në luftën kundër korrupsionit, Rama tha se “fuqia ndëshkuese është tërësisht e pamjaftueshme dhe në fund të fundit nuk është themeli i luftës kundër korrupsionit”. “Dallimi mes shteteve si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Hollanda, Suedia etj, vende anëtare të BE-së dhe shtete të tjera më të prapambetura si vendi ynë në kornizën e përpjekjes për t’u bashkuar me familjen europiane është një dallim që mund të përkufizohet si dallimi mes një sistemi modern, transparent dhe efikas dhe një sistemi alkaik, jo transparent dhe jo efikas”, tha Rama. Kjo, shtoi Rama, është sfida dhe përpjekja jonë dhe unë besoj se kjo është rruga që të konkretizojmë sistemin tonë, ta bëjmë atë efikas dhe transparent. “Në bazë të përpjekjes tonë për t’u integruar në familjen europiane, pika e vetme e referimit për qytetarin do të jetë dera e vetme ku qytetari troket pa pasur nevojë të dalë nga dera e pasme aty korrupsioni është i gatshëm të ofrojë shërbimin e munguar”, përfundoi Rama.

Advertisement