Siri | Angazhim për asgjësimin e arsenalit kimik

Presidenti sirian, Bashar al-Assad rikonfirmoi angazhimin e regjimit të tij për asgjësimin e arsenalit kimik duke mos krijuar asnjë pengesë për procesin në fjalë gjatë një interviste për kanalin televiziv venezuelian, Telesur. “Siria përgjithësisht angazhohet në zbatimin e çdo konvente që nënshkruan. Së fundmi, ajo i paraqiti inventarin e arsenalit kimik Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, OIAC dhe së shpejti, drejt Sirisë do të udhëtojnë ekspertë për vërtetimin e gjendjes dhe vendndodhjes së këtyre armëve”, u shpreh presidenti Assad gjatë kësaj interviste të realizuar në Damask dhe të shpërndarë nga agjencia zyrtare siriane e lajmeve, SANA. “Për sa i përket qeverisë siriane, nuk ka asnjë pengesë”, theksoi ai. Megjithatë, Assad nuk e përjashtoi ndërhyrjen e mundshme ushtarake nga SHBA në vendin e tij. “Mundësia që SHBA të ndërmarrë një sulm ndaj Sirisë mbetet reale. Ose me pretekstin e armëve kimike ose me pretekste të tjera”, nënvizoi ai. “Nëse u kushtojmë vëmendje luftërave të mëparshme dhe politikave të ndjekura nga SHBA, duke filluar të paktën nga gjysma e parë e viteve ’50, duket qartë se bëhet fjalë për një politikë që kalon nga një sulm në tjetrin. Kjo politikë nuk ka ndryshuar dhe nuk shoh së fundmi asnjë arsye që ajo të ndryshojë”, u shpreh presidenti sirian. “SHBA nuk mund ta përdorë më Këshillin e Sigurimit si në kohën e viteve ’90, ditët e sotme ka më shumë ekuilibër në të”, deklaroi Assad.

Advertisement