Tiranë | Ministri Veliaj shoqëron në spital një fëmijë rom

Ministri për Mirëqenie Sociale dhe Rininë, Erion Veliaj shoqëroi sot vetë një fëmijë të vogël rom në dyert e spitalit. Elidoni i vogël, 2 vjeçar, është fëmija i aksidentuar më 31 gusht në rrugën përballë pallatit me shigjeta, aty ku prej më shumë se pesë javësh familjet rome kanë ngritur çadrat pasi u dëbuan nga trualli i ish-Dekorit, ku edhe jetonin prej vitesh. Veliaj e kishte njohur Elidonin gjatë vizitës që kreu në ditën e tij të parë të punës tek 37 familjet e shpërngulura rome. Nëna e Elidonit i qe ankuar se e kishte çuar djalin për vizitë në spital, por që andej kishte dalë e përbuzur dhe pa mjekim. Dy ditë më pas, Veliaj duket se e ka mbajtur premtimin. Ai e ka marrë në makinën e tij Elidonin dhe e ka shoqëruar personalisht në Spitalin Ushtarak, ku fëmija mori trajtimin e munguar mjekësor. Veliaj u shoqërua edhe nga deputeti i PS-së, Ylli Ziçishti, ish- shef i Urgjencës, për të cilin ka shprehur falenderimet e tij në facebook. Ministri ka premtuar zgjidhje të shpejtë për sistemimin e familjeve rome, të cilat ende sot jetojnë në kushte jo normale. “Shumë faliminderit Ylli Zicishtit deputetit-doktor për ndihmën në spital dhe i bindur që Ilir Beqja dhe ekipi i tij i ri do t’i bëjnë spitalet tona me cilësorë për këdo – pavaresisht ngjyrës, bindjeve e financave”, shkruan Veliaj në “Facebook”.

Advertisement