Vendoset Sistemi i Automatizuar i Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes, bëri të ditur zëvendësministrja e Mbrojtjes, Arta Musaraj. Në një deklaratë për shtyp, zv/ministrja e cilësoi këtë një arritje dhe përmbushje të standardeve më të rëndësishme të NATO-s, për sa i takon automatizimit dhe centralizimit të menaxhimit të burimeve të mbrojtjes. “Sistemi i Automatizuar i Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes, një sistem tërësisht dixhital, sjell ndryshime rrënjësore në planifikimin e burimeve të mbrojtjes dhe nevojave për to, në përputhje me dokumentet bazë të zhvillimit dhe planifikimit strategjik të mbrojtjes shqiptare”, tha Musaraj. Sipas saj, planifikimi i saktë i operacioneve dhe pajisjeve është një prej out-puteve primare dhe më të rëndësishme të këtij sistemi, duke sjellë një qartësi dhe efiçencë të rritur në investime duke e bërë çdo fond publik të shpenzuar në këtë drejtim për mbrojtjen shqiptare më të vlefshëm dhe efiçencën e përdorimit të tij dukshëm më të lartë. Sistemi i Automatizuar i Menaxhimit të Burimeve është ndërtuar me asistencën e vazhdueshme dhe ekspertizën e avancuar në këtë fushë të Kompanisë Amerikane CUBIK, e cila prej vitesh asiston Ministrinë e Mbrojtjes në procesin e reformimit të saj.