Tiranë | Bode: përmirësim i financave publike

alt

Ministri i Financave, Ridvan Bode, u dha publikisht përgjigje të premten akuzave të ngritura prej ditësh mbi një përkeqësim të treguesve të financave publike. Në një konferencë për shtyp nga ministria e Financave, Bode deklaroi se nuk ka përkeqësim të financave publike dhe se zërat në buxhet flasin për një angazhim maksimal dhe të përgjegjshëm të administratës doganore dhe asaj tatimore për të mos shkaktuar asnjë denatyrim të programit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë edhe në këtë periudhë postzgjedhore. Madje, tha ai, referuar shifrave bëhet fjalë për një përmirësim të mëtejshëm të financave publike dhe për një sufiçit buxhetor. Duke u ndalur në treguesit si 7 mujor, Bode tha se “ka një defiçit prej 9 miliard lekësh, i ardhur kryesisht nga disa politika që ka ndjekur qeveria në pranverën e këtij viti, ku ndërmori disa iniciativa fiskale që mbështetën biznesin në kushtet e krizës globale, që kishin të bënin me uljen dhe heqjen e disa taksave, siç ishin vendimet për heqjen e tvsh-së për makineritë, etj”, deklaroi Bode. Por, theksoi ai, ky defiçit do të mbulohet plotësisht nga ulja e kostos së shërbimit të borxhit publik me 5 miliardë lekë për shkak të situatës pozitive që ka tregu i bonove të thesarit, si dhe nga disa shpenzime që janë administruar nga ministria e Financave për herë të parë, që sigurojnë kursime në të njëjtën masë. Të ardhurat për periudhën 7 mujore, tha Bode, rezultojnë me një mosrealizim prej 11.5 miliardë lekësh, ku futet impakti i papasqyruar në buxhet i iniciativave fiskale që bëri qeveria në pranverën e këtij viti si masë për të mënjanuar një impaktim më të thellë të krizës globale dhe rajonale në ekonominë e vendit. Vlera totale e këtyre iniciativave fiskale të ndërmarra nga qeveria shkon rreth 20 miliardë lekë, megjithatë mosrealizimi i të ardhurave në buxhet i kësaj periudhe është 11.5 miliard lekë, nga e cila me impakt në buxhetin e shteti janë vetëm 9 miliardë lekë, pjesa tjetër ka të bëjë kryesisht me mungesën e mbledhjes së të ardhurave nga buxhetet vendore që nuk japin efekt në buxhet”, deklaroi ministri Bode. Sipas Bodes, të dhënat në këtë pjesë të vitit flasin për një respektim të plotë të parametrave të buxhetit të programaur. Në total, informoi Bode, të ardhurat janë realizuar në masën 94.1% të programit. “Niveli i autorizuar si defiçit ka qënë një shumë prej 43 miliardë lekësh, nga i cili janë marrë 47 miliard lekë. Diferenca prej 4 miliard lekësh është fituar tërësisht nga defiçiti i marrë nga pushteti vendor, i cili ka realizuar 6.4 miliardë lekë të ardhura në këtë periudhe dhe ka shpenzuar 17.5 miliardë lekë”, tha Bode. Ky deficit, vijoi ai, ka qënë i programuar të ishte në parametrat 7.4 miliardë lekë dhe tejkalimi ka ardhur për të plotësuar nevojën e shpenzimeve që ka patur buxheti vendor, i cili ka përshpejtur përdorimin e transfertave në buxhetin qendror, ose ka përdorur të ardhurat e trashëguara nga viti i kaluar, që do të thotë, sqaroi Bode, që në periudhën në vijim do të jetë më i kufizuar me shpenzimet. Sipas Bodes, niveli i programuar i deficitit vjetor të buxhetit është 48 milionë lekë, ndërkohë që niveli i marrë deri më sot është 34 milionë lekë, 12 miliard lekë janë të ardhura nga privatizimet të cilat janë të autorizuara të përdoren në momentin e arkëtimit. “Përsëri edhe ky vit, një vit elektoral dhe me probleme që kanë të bëjë me uljen e taksave për të favorizuar biznesin për të ndihmuar në kapërcimin e situatës së presionit të krizës, përsëri figurojmë me një balancë primare pozitive, ose suficit primar me rreth 8 miliard leke, sepe investimet janë 44 miliard lekë, përballë 35 miliard lekësh që janë huamarrje totale e brendshme dhe e huaj”, deklaroi ministri Bode. Ai tha se huamarrja e brendshme në muajn korrik është ulur.

Advertisement