Egjipt | Ish-presidenti Morsi në paraburgim, Hamas dhe Vëllazëria Myslimane dënojnë veprimin

Presidenti i rrëzuar egjiptian, Mohamed Morsi u vendos në paraburgim për një periudhë 15-ditore nën akuzën e spiunazhit për llogari të organizatës terroriste “Hamas” dhe arratisjeve në masë nga burgjet gjatë revolucionit të vitit 2011, njoftoi agjencia zyrtare egjiptiane e lajmeve, MENA. “Vëllazëria Myslimane” deklaroi se vendimi i organeve të drejtësisë për paraburgimin e presidentit të rrëzuar egjiptian, Mohamed Morsi në lidhje me ngjarjet e ditëve të fundit të regjimit të ish-presidentit, Hosni Mubarak, risjell ish-regjimin e tij në pushtet. “Akuzat ndaj Morsit tingëllojnë si një hakmarrje e ish-regjimit, gjë që tregon rikthimin e tij të fuqishëm”, u shpreh zëdhënësi i lëvizjes, Gehad el-Haddad. Ndërsa organizata “Hamas”, në pushtet në Gaza, denoncoi vendimin. “Hamasi e dënon këtë vendim të bazuar në postulatin se lëvizja jonë është armiqësore. Ky është një zhvillim i rrezikshëm që konfirmon se pushteti aktual në Egjipt ka hequr dorë prej kauzave kombëtare si dhe prej kauzës palestineze”, deklaroi zëdhënësi i “Hamas”-it, Sami Abu Zuhri.

Advertisement