Tiranë | Kryeministri Berisha: Shqipëria dixhitale, projekt real

“Jemi të bindur se ulja e mëtejshme e taksës është rruga më e sigurtë e suksesit të biznesit, e punësimit të shqiptarëve si dhe për zhvillimin e shpejtë të Shqipërisë”, deklaroi sot Kryeministri Sali Berisha. I pranishëm në përurimin e sistemit elektronik të doganave, një invesim me vlerë 80 mijë dollarë, kryeministri Berisha tha se “në 4 vitet që vijnë qeveria do bëjë gjithçka për t’u shndërruar në një vend lider në rajon në teknologji si dhe do të rrisim në mënyrë shumë më të madhe transparencën e të gjitha shërbimeve në vend”. Duke iu referuar deklaratave të kreut të PS-së për heqjen e taksës për 95% të shqiptarëve, Kryeministri tha se “para nesh qëndron një analfabet për taksat, por kjo është përgjegjësi e shoqërisë, jo e imja që të mësoj Kryetarin e PS-së për taksat. Një ditë vjen para kryeministrisë e proteston pse ula taksat, ndërsa ditën tjetër thotë që 95 % e shqiptarëve nuk do paguajnë taksa”. Duke iu referuar projektit të ri të Doganave, shefi i qeverisë vlerësoi se ky projekt shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e shërbimit tonë doganor, rritjen e transparencës, shkurtimin e kohës në pagesë si edhe renditjen e doganave te vendit në nivele të shërbimeve të larta tekonologjike. “Shqipëria dixhitale është sot projekt real, i cili bëri të mundur anëtarësime të mëdha të qeverisë në qindra projekte, shtrirjen e internetit në të katër anët e vendit dhe ky vrap nuk do të ndalet”, theksoi ai. Duke inkurajuar që të bëhet gjithçka për të aplikuar shkallën më të lartë të teknologjisë së informacionit, të sotëm dhe asaj që vjen, shefi i qeverisë kërkoi një marrëdhënie me transparente me biznesin.

Advertisement