Mat | Inaugurohet ujësjellësi i komunave Komsi dhe Gurrë

“Ne do të bëjmë gjithçka për të ndryshuar për mirë jetën tuaj”, premtoi kryeministri Sali Berisha për banorët e komunës Komsi në rrethin e Matit, ku mori pjesë në inaugurimin e ujësjellësit të komunave Komsi dhe Gurrë, një investim me vlerë 116 milionë lekë. Ujësjellësi, i projektuar me standardet më të mira dhe për ndërtimin e të cilit janë shfrytëzuar dy burime uji me dy rezervuare me kapacitet 75 m3 secili, furnizon me ujë 24 orë 2000 banorë të fshatrave Frankth, Batër e madhe dhe Batër e vogël, në komunën Komsi. Ndërtimi i tij është pjesë e programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale” në 50 fshatra, në qarqet Dibër, Shkodër dhe Kukës, duke kontribuar në përmirësimin e jetesës së rreth 40.000 banorëve. Kryeministri u zotua se qeveria do të bëjë gjithçka që çdo qytetar shqiptar, pavarësisht se ku jeton, në fshat apo në qytet, të ndihet qytetar i një vendi të zhvilluar, për sa i përket infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, e çdo shërbimi tjetër. Kryeministri Berisha duke krahasuar alternativën e mazhorancës me atë të opozitës, u shpreh se, “alternativa jonë është një alternativë që flet me vepra, me rrugë, flet me ujësjellësa, me kanalizime, flet me biznese, me ferma, flet me infrastrukturë moderne. Alternativa tjetër është alternativa e mohimit, alternativa e shkatërrimit, e mohimit të çdo gjeje që ju keni realizuar deri më sot. Por mbi të gjitha ftoni socialistët e Matit dhe të mbarë Shqipërisë të mos harrojnë se drejtohen nga arkitekti i të gjitha dështimeve, njeriu e cili që kur doli në krye të Partisë Socialiste ka kaluar nga disfata në disfatë dhe pret më 23 qershor disfatën e rradhës”. “Le ta shndërrojmë ne Matin, le ta shndërrojmë ne Shqipërinë, në një kopësht të vërtetë nga më të bukurat në Evropë.”, u shpreh kryeministri teksa ftoi banorët e zonës të mbjellin sa më shumë drurë frutorë dhe të shfrytëzojnë çdo pëllëmbë tokë në të mirë të tyre.

Advertisement