Kosovë – Delegacioni braktis takimin e CEFTA

Sipas një komunikate të Ministrisë së Bujqësisë fakti se organizatorët nuk kanë pranuar të prezantojnë Kosovën me emrin e saj, por me emrin e UNMIK-ut ka mjaftuar për të irrituar delegacionin kosovar dëri në masën e largimit në formë proteste. Ne takimin e CEFTA-s, që është duke u mbajtur prej datës 7 deri më 9 prill 2009, po merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Tregtisë e Doganave, në krye të të cilëve ishte Frymëzim Isufaj, këshilltar politik. Në takim ka qënë e parashikuar të bisedohet për rishikimin e politikave tregtare bujqësore, duke përfshirë edhe masat mbrojtëse, subvencionet në eksport si dhe këmbimi i informatave për tregtinë e produkteve bujqësore. CEFTA është organizmi i ngritur mbi bazën e marrëveshjes për tregti të lirë mes vëndeve të rajonit, por ajo është kthyer në një problem për shtetin e ri të Kosoves prej disa muajsh. Kjo për shkak se UNMIK-u pas shpalljes së pavarësise, nuk e ka ndryshuar dokumentacionin për ta shndërruar kështu shtetin e ri në trashëgimtar të marrëveshjes. Këtë situatë e ka shfrytëzuar Serbia e cila ka krijuar pengesa në lidhje me qarkullimin e mallrave që mbajnë vulën e Republikes së Kosovës. Megjithë protestat dhe paralajmërimet e qeverisë së Kosovës se do t’i përgjigjet Serbisë me të njëjtën monedhë, pra nuk do t’i lejojë mallrat serbe të hyjnë në Kosovë, situata vazhdon të mbetet e pazgjidhur.

Advertisement