Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, përmes një kërkese drejtuar Komisionit të ligjeve, ka kërkuar lirimin nga posti i anëtarit të KQZ-së, për përfaqësuesin e LSI-së. Kërkesa në emër të grupit të PD-së është prezantuar nga deputeti Gent Strazimiri. “Në bazë të Kodit Zgjedhor gjysma e anëtarëve të KQZ-së i takon shumicës dhe gjysma tjetër opozitës. Kërkojmë ndarjen në mënyrë të barabartë të administratës zgjedhore. Prishja e barazpeshës me ikjen e LSI-së nga koalicioni cënon standartet e zgjedhjeve. Koalicioni i fundit me këtë formulë është paralajmërim për manipulim. Partia Republikane ka paraqitur kandidaturat për anëtarin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ” është shprehur Strazimiri. Deputetët e PS-së në komision janë shprehur se me kërkesën e PD për KQZ-në cënohen standardet demokratike. “Kërkesa e PD është një skandal, nuk ka një nen të Kodit Zgjedhor që t’i referohet. Ky është një precedent, sipas të cilit kur ne të vijmë në pushtet, t’i fshijmë. Po luani me vullnetin e popullit, ftoj deputetët e mazhorancës të reflektojnë” është shprehur deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Ndërsa kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmajli është shprehur se proçedura e kërkon që komisioni të shprehet në lidhje me kërkesën e grupit të PD-së. Por pavarësisht këtij debati, Mazhoranca në Komisionin e Ligjeve ka votuar kërkesën e Partisë Demokratike për lirimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho. Po ashtu Komisioni i ligjeve kaloi për votim në seancë dy propozimet e tjera të sjella nga Partia Republikane, si parti e dytë e koalicionit qeveritar për anëtarët e KQZ-së. Partia Republikane risolli si kandidat ish anëtarin e KQZ-së Klement Zguri dhe Patriot Çobën, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme në këtë seancë dëgjimore. Në këtë mënyrë këtë të enjte, Kuvendi voton për lirimin nga detyra si anëtar të KQZ-së, për Ilirian Muhon, i propozuar nga LSI, si dhe do të votojë për kandidatët e Partisë Republikane, ku kandidati që do të marrë shumicën e thjeshtë të votave në parlament,do të emërohet anëtar i KQZ-së. Në anën tjetër kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar në lidhje me kërkesën e dy partive të djathta PD dhe PR për rikonfigurimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. “Prekja e KQZ me dhunë është antikushtetuese tregon se ç’regjim do të shporrim në 23 qershor e çfarë paniku e ka mbërthyer Saliun në vetminë e madhe! Asgjë s’e shpëton pushtetin e partisë familjare të Saliut, prekja e KQZ rrënon ende me shumë institucionin e zgjedhjeve dhe imazhin e vendit!” shkruan Rama.