Tiranë | Olldashi: Rama gënjen, legalizojmë 10 mijë objekte në muaj

Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, reagoi sot në lidhje me deklaratat e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, mbi legalizimet. “Edi Rama molloisi prapë sot. Këtë herë për legalizimet. As dëgjoi njeri, as pyeti njeri e as e kuptoi njeri’, shkruan ministri Olldashi në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”. “Zoti Rama u tha qytetareve që “i pikon shpirti e s’e ze gjumi natën” për hallin e tyre. Gënjeu! Vetëm pak vite më parë i quante “çeçenët e Saliut që po shëmtojnë Tiranën”. Zoti Rama tha se qeverisë do t’i duhen 160 vjet për të mbyllur procesin. Gënjeu! Megjithëse vetë ai kur drejtonte bashkinë, dhe me porosi, të gjithë kryetarët socialistë të bashkive dhe komunave, kanë berë çdo përpjekje për ta penguar procesin, legalizimet do të mbyllen brenda vitit 2013”, shkruan Olldashi. Ne, shton ministri Olldashi, “po legalizojmë aktualisht diçka më shumë se 2300 objekte në javë, pra rreth 10.000 në muaj. Deri tani nga 270 mijë aplikime, janë kualifikuar 230 mijë, janë përditësuar në terren 140 mijë, është bërë kalimi i pronësisë për 103 mijë parcela, janë dhënë lejet për 65 mijë ndërtime, janë dëmshpërblyer 5458 pronarë, me 5.527 miliardë lekë të reja. Këto jane statistikat e legalizimeve, të cilat tregojnë se angazhmi ynë për të mbyllur procesin brenda vitit 2013 është real dhe i vërtetë”. “Zoti Rama, per 11 vjet në krye të bashkise, la pa legalizuar mijëra familje, edhe në qendër të qytetit, për shkak të abuzimit me lejet e ndërtimit. Disa mijera qytetarë të Tiranës po marrin hipotekat e shtëpive të tyre vetëm në sajë të ndërhyrjes ligjore të qeverisë Berisha. Njeriu qe krijoi paligjshmerine nuk mund të premtoje legalizimin. Njeriu që i quajti banorët “çeçenë e të palarë” nuk mund të përlotë sot për “hallet” e tyre”, thekson ministri Olldashi në mesazhin e tij.

Advertisement