Tiranë | KQZ kërkon nga OJF-të propozimet për Bordin e Monitorimit të Medias

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel organizatave jofitimprurëse që operojnë në fushën e medias të sjellin pranë këtij institucioni propozimet e tyre për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias. Një deklaratë për shtyp e zëdhënëses së Komisionit, Drilona Hoxhaj, thekson se KQZ ka njoftuar tashmë 54 organizatat që operojnë në fushën e medias dhe që rezultojnë të regjistruara në Gjykatë, për të sjellë propozimet për anëtarë të BMM-së. “KQZ ngre shqetësimin se, pas njoftimit, nga 54 organizata, 40 prej tyre, sipas përgjigjes nga Posta Shqiptare, nuk e kanë marrë njoftimin për arësye të pasaktësisë së adresës”, deklaroi zëdhënësja. “KQZ, në pamundësi të komunikimit shkresor me ndihmën e medias i bën apel të gjitha OJF-ve që operojnë në fushën e medias, të sjellin pranë KQZ-së propozimet e tyre për anëtarë të BMM-së sa më shpejt, mbi bazën e kritereve të përcaktuara në rregulloren ‘për mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të BMM-së”, përfundon deklarata për shtyp.

Advertisement