Tiranë | Mediu: kërkesat e shoqërisë civile heqin kontrollin mbi mbetjet e importuara

Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu tha se “kërkesat e bëra nga shoqëria civile për referendumin kundër importit të mbetjeve, në fakt shtojnë rrezikun e importit të mbetjeve pa kufi në Shqipëri dhe evitojnë kontrollin e qeverisë mbi listën e mbetjeve të importuara”. Në një prononcim për shtyp lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mbajtjen e Referendumit për mbetjet, ministri Mediu theksoi se, “qeveria dëgjon me vëmendje opinionin e shoqërisë civile”. “Kjo praktikë ka frenuar dhe ka mbyllur derën e importit të mbetjeve mjafton t’i referohemi statistikave. Në Shqipëri kanë qenë 346 lloje mbetjesh dhe tani janë bërë vetëm 6 importe, 4 prej të cilave kanë qenë për skrap metalik”, theksoi Mediu. “Nuk mund të diskutoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk kam qenë kundër zhvillimit të referendumit për importin e mbetjeve”, tha Mediu. Ministri i Mjedisit u shpreh se, “sot liberalizojmë vetëm 25 mbetje nga 500 mbetje. Nëse ne si qeveri do të marrim në konsideratë liberalizimin tërësisht të importit të mbetjeve të rrezikshme e të parrezikshme në Shqipëri, është përgjegjësia ime si ministër dhe i qeverisë për të frenuar importin e mbetjeve dhe për të parë mundësinë në mënyrë absolute vetëm për atë pjesë të mbetjeve, që janë brenda listës së gjelbër. Nëse do reduktohet le të reduktohet më tej, por në mënyrë absolute siç e kërkon ligji, që mbetjet e rrezikshme të mos importohen në Shqipëri”. Sipas tij, kërkesa e heqjes së dy neneve krijon nje precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për mënyrën e trajtimit të kësaj çështje, sepse kompani të regjistruara të licensuara për marrëdhënie me mbetjet mund të importojnë pa asnjë lloj procedure nëse ne do të heqim ato dy nene. “Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve është certifikuar si një ligj tërësisht në përputhje me direktivën europiane. Praktika e importit të mbetjeve sipas procedurave dhe vendimmarrjes që kemi është shumë herë më strikte se vendet e BE-së. Europa është vendi ku ne duam të shkojmë dhe padyshim që duhet të dëgjojmë me shumë vëmendje të gjithë zërin europian për këtë çështje. Do kisha dëshirë të kishte më shumë debat, se si autoritetet qendrore lokale dhe ne si qytetarë të angazhohemi në menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili është një nga problematikat më thelbësore, që kemi ne sot për cilësinë e jetës në Shqipëri”, tha Mediu. Ministri Mediu sqaroi gjithashtu se, “deri në mbajtjen e referendumit do të importohen lista me 25 mbetje, por nëse do të ketë ndonjë shqetësim të shtuar nga shoqëria civile apo aktorë të tjerë, jam mëse i gatshëm që ta marrim në konsideratë për ta reduktuar këtë listë”. “Lista e mbetjeve nga 55 në 25 ka qenë iniciativa e Ministrisë së Mjedisit , por nëse ka aktorë të tjerë që duan ta reduktojnë deri në momentin që bëhet referendumi jam i prirur që ta shikojmë këtë çështje. Si ministër, vijoi ai, duhet të jem korrekt dhe konkret. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një vendim për të lejuar një referendum, ndërsa kërkesa e bërë nga shoqëria civile besoj se ka disa probleme që mund të shtojë rrezikun e importit të mbetjeve pa kufi në Shqipëri”, përfundoi Mediu.

Advertisement