Tiranë | Miratohet buxheti i zgjedhjeve, shtyhet miratimi i fleteve te votimit për Fierin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë mbledhjes së sotme shqyrtoi dhe miratoi disa projektvendime të rëndësishme. Projektvendimi, “Për miratimin e strategjisë së KQZ-së, për edukimin zgjedhor të shtetasve për zgjedhjet për Kuvendin e datës 23.06.2013”, është një prej tyre, që përcakton qartë projektet që u kushtohen të gjithë zgjedhësve për edukimin, informimin dhe sensibilizimin e tyre lidhur me procesin e votimit. Strategjia synon të ndihmojë në rritjen e pjesëmarrjes në votim, rritjen e cilësisë së votimit, shmangien e gabimeve gjatë procesit për arsye të mosnjohjes së proçedurave si dhe shmangien e fenomeneve negative që vihen re gjatë procesit zgjedhor në tërësi. Ky aktu miratua me 6 vota pro dhe 1 kundër. Një tjetër projektvendim i shqyrtuar dhe miratuar gjatë mbledhjes së sotme është dhe ai “Për miratimin e strukturës së shpenzimeve buxhetore për zgjedhjet për Kuvendin, të datës 23 Qershor 2013”. Struktura buxhetore e miratuar nga KQZ është përgatitur dhe hartuar në funksion të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Akti u miratua me 7 vota pro. Ndërkohë KQZ shtyu për në mbledhjen e ardhshme projektvendimin “Për miratimin e modelit dhe specifikimeve teknike të fletës së votimit për Zonën Zgjedhore Qarku Fier, për zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2013”.

Advertisement