Tiranë | Homazhe për punonjësit e SHISH të vrarë në ‘97

Janë zhvilluar në Qëndrën Kulturore të Ushtrisë në Tiranë homazhet në nderim të Dëshmorëve të Atdheut, Besnik Hidri dhe Lekë Qokaj, ish-punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, të rënë në krye të detyrës në vitin 1997, dhe që do të rivarrosen sot në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Kryeministri Sali Berisha pasi shkruajti mesazhin e tij në librin e kujtimeve, në një prononcim për mediat, theksoi se “shqiptarët sot po përulen me nderimin më të madh para qëndresës, trimërisë, heroizmit të dy shërbëtorëve të shquar të lirisë, oficerëve të Shërbimit Informativ Shqiptar, Besnik Hidrit dhe Lekë Qokajt, që ranë në krye të detyrës për të fituar nderin dhe pavdeksinë”. “Shqiptarët sot i përcjellin ata në varrezën e të rënëve të kombit. Me këtë akt bëhet një mbyllje morale e njërit prej skenarëve më të turpshëm në historinë e këtij kombi, rebelimit komunist të vitit 1997, i cili i kushtoi vendit jetë të shumtë njerëzish, rebelim, i cili solli në pushtet me dhunë ata që nuk e meritonin”, tha Berisha. Kryeministri Berisha tha se “në rrafshin politik rebelimi i komunistëve në vitin 1997 u mbyll në mënyrën me dinjitoze nga qytetarët shqiptarë, të cilët bënë që ata që erdhën me dhunë të largohen me forcën e pathyeshme të votës, dhe ky ishte në dinjitetin e qytetarëve shqiptar”, ndërsa theksoi se “për problemet të tjera natyrisht drejtësia vonon, por nuk harron kurrë”. Përsa i takon çështjes se rënies në detyrë të Kryekomisar Dritan Lamajt, Kryeministri Berisha theksoi se “një gjë është e sigurtë që policia u përgjigj flakë për flakë, duke u treguar më e shpejtë se kurrë për identifikimin e autorëve të këtij krimi të shëmtuar”. Ministria e Brendshme, tha kreu i Ekzekutivit, i ka të gjitha mekanizmat e nevojshme për të zbardhur çdo të vërtetë rreth këtij krimi. Ata, siguroi Berisha, po punojnë dhe kam besimin e plotë se shumë shpejt do të zbardhet gjithçka. Homazhe bënë edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, politikanë, etj. Dëshmorët Besnik Hidri e Leka Qokaj kanë qënë punonjës të SHISH dhe më 28 shkurt 1997 ranë në krye të detyrës për mbrojtjen e institucioneve shtetërore në Vlorë. Në vitin 2004 Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i akordoi Besnik Hidrit dhe Leka Qokajt “Medaljen e Shqiponjës së Artë” (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë për veprimtarinë dhe kontributin e vyer në shërbim të shtetit, deri në aktin sublim, dhënien e jetës në krye të detyrës”. Besnik Hidri dhe Lekë Qokaj janë shpallur dëshmorë të Atdheut në vitin 2006 nga Komisioni i Posaçëm Qeveritar.

Advertisement