Bullgari | Hiqet licenca e kompanisë CEZ

Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i vendosur përballë protestave kundër çmimeve të larta të energjisë, njoftoi se kompania çeke CEZ do të privohet nga licenca. Bëhet fjalë për reagimin e parë të qeverisë për manifestimet, shpeshherë të dhunshme, që zhvillohen prej nëntë ditësh në të gjithë vendin. Kryeministri hodhi poshtë hipotezën e dorëheqjes duke theksuar se ”nëse ne e bëjmë, pasojat do të jenë katastrofike”. Përballë kësaj vale pakënaqësish, pesë muaj nga zgjedhjet legjislative, Bojko Borisov premtoi një ulje me tetë për qind të çmimit të energjisë duke nisur nga muaji mars duke ndërprerë pjesën më të madhe të eksporteve nga centrali i vetëm bërthamor bullgar i Kozloduit, që furnizon me energji më të lirë. Një hetim i prokurorisë publikuar sot theksoi se CEZ aplikonte një procedurë të ngadaltë për t’iu përgjigjur ankesave të konsumatorëve dhe kishte kërkuar nga konsumatorët të paguanin për një periudhë më të gjatë se një muaj, gjë që shpjegon faturimet e larta. Zëvendësprokurori i përgjithshëm bullgar, Kamen Mihov theksoi se CEZ ishte gjobitur me 15 000 deri në 500 000 euro për çdo faturë të lëshuar për konsumatorët, shuma e të cilave nuk është justifikuar. CEZ njoftoi dje se që prej vitit 2005 ai kishte investuar 900 000 euro në Bullgari dhe kishte paguar 219 milionë euro taksa.

Advertisement