Rusi | 400 të plagosur nga shiu i meteorëve

Rreth 400 persona janë plagosur pas kalimit të një meteori në qiellin e Rusisë, i cili ka lëshuar sfera të zjarrta që gjatë përplasjes me tokën kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Meteori i cili u duk në horizont, duke lënë një gjurmë të gjatë tymi të bardhë, mund të shihej nga një distancë 200 km. Autoritetet e qytetit Chelyabinsk thanë se rreth 400 persona kërkuan ndihmë mjekësore, kryesisht për dëmtime të lehta të shkaktuara nga shpërthimi i xhamave. Meteori është parë në qytetin Yekaterinburg, ku u dëgjuan dhe zhurma të forta shpërthimesh, por duket se dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin Chelyabinsk. “Po shkoja për në punë, ishte errësirë, por papritmas qielli u zbardh aq shumë si të ishte ditë”, thotë Viktor Prokofiev, 36 vjec, banues në Yekaterinburg. “Pamë një dritë shumë të fortë, dhe më pas dolëm për të parë cfarë kishte ndodhur, kur dëgjuam zhurma shumë të mëdha shpërthimesh,” thotë Sergey Hametov, banues në Chelyabinsk. Specialistët sqarojnë se një pjesë e madhe e meteorit u dogj në atmosferën më të ulët, cka rezultoi në copë të meteorit që ranë në drejtim të tokës. Zyrtarë janë shprehur se shiu i meteorëve mund të jetë i lidhur me asteroidin me përmasa sa një pishinë e lojrave Olimpike, që do të kalojë në një distancë prej 27,520 km me tokën, por ky fakt nuk mund të konfirmohet. Zhurma e madhe e shpërthimit është dëgjuar rreth orës 9.20, ndërsa tronditja e mëpasme ishte ajo që theu xhamat. Incidente të tilla janë tejet të rralla. Ministria e Emergjencave e përshkroi eventin si “shi meteorësh në formën e topave të zjarrit”, ndërsa theksoi se nuk pati dëmtime mjedisore apo nivele rrezatimi jashtë normales. Agjencia amerikane e hapësirës NASA ka njoftuar ndërkohë se një asteroi i njohur si “2012 DA14”, me diametër rreth 46 metra, do të ketë takimin më të afërt me tokën që nga koha kur shkencëtarët kanë nisur monitorimin e asteroidëve 15 vite më parë. Asteroidi do të kalojë në një distancë prej 27,520 km, ndërkohë që satelitët e ndryshëm ndodhen rreth 800 km më lart.

Advertisement