Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nënshkroi më 11 shkurt me shoqërinë “Kurum International” sha, marrëveshjet përkatëse për blerjen e aksioneve të shoqërive “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2″ sha dhe “HEC Ulëz Shkopet” sha. Me VKM-të nr. 26 dhe nr. 27, datë 09.01.2013, Këshilli i Ministrave miratoi ofertat e shoqërisë “Kurum International “ sha, si fituese për blerjen e 100 për qind të aksioneve, përkatësisht të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2” sha dhe shoqërisë HEC Ulëz Shkopet sha, si dhe ngarkoi Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të negociojë dhe të nënshkruajë kontratat me kandidatin fitues. Në vijim të procedurave, kontratat do të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe organet e tjera përkatëse sipas ligjit, dhe së fundi në Parlament, thuhet në njoftimin e METE-s.