Kryebashkiaku, Lulzim Basha, në 93 vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, shprehu mirënjohjen e tij për familjet e mëdha tiranase, kontributin e tyre dhënë ndër vite për formimin e kryeqytetit shqiptar. Duke vënë theksin se tashmë ka ndryshuar mënyra e qeverisjes së kryeqytetit, Basha tha se 93 vite më parë, në godinë e Akademisë së Shkencave, ndryshoi fati i Tiranës. Ai e konsideroi kryeqytetin e shqiptarëve, si kryeqendrën e sipërmarrjes dhe studentëve. “Nuk është e rastësishme që Tirana është ëndrra e të rinjve dhe e prinderve te tyre. Për fat të keq ka pasur raste kur Tirana është shfrytëzuar për interesa ekonomike, është ndaluar festa dhe stolisja, është trajtuar si komunë e largët etj. Sot Tirana ka simbolet e saj. Ajo ka shqiponjën në hyrje, shtatoret që dëshmojnë mirënjohjen për ata që bënë histori, këtu u ngri kuvendi mbarëkombëtar i njësive vendore mbarëshqiptare”. Në fjalën e tij, Basha ripërsëriti angazhimin e tij të plotë dhe stafit të bashkisë për t’i shërbyer me përkushtim Tiranës dhe interesave të qytetarëve.