Tiranë | Meta: për koalicionin vendos Konventa e LSI-së

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh sot se “çdo përpjekje për të vrarë besimin tek zgjedhjet e lira dëmton standardin e tyre, që është edhe një prej faktorëve të rëndësishëm për integrimin europian të vendit”. Në një konferencë për mediat, lideri i LSI-së tha se marrja e statusit të vendit kandidat për në BE, para zgjedhjeve, është me një rëndësi të madhe për vendin. Ai tha se mesazhi që përcolli dje në Tiranë shefi i Zgjerimit të BE-së, Stefan Fyle, se ” marrja e statusit është e arritshme dhe është detyrë vetëm e politikanëve për të plotësuar të gjithë kushtet”, është një mesazh që duhet vlerësuar maksimalisht, me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat para zgjedhjeve të 23 qershorit. “E rëndësishme është të fitojmë çdo sekondë dhe të tregojmë përgjegjshmërinë tonë për të plotësuar një aspiratë mbarëshqiptare, pa dallime politike”, tha Meta. Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, lidhur me koalicionin e ardhshëm në zgjedhjet e 23 qershorit, Meta tha se “për çështjen e koalicionit të ardhshëm zgjedhor do të jetë vetëm Konventa e LSI-së, që do të zhvillohet në muajin Prill, ku do të diskutohet kjo çështje, dhe më pas vendosja e tij, në 23 prill të këtij viti”. Lidhur me taktikat elektorale që LSI do të ndjekë në këtë fushatë, Meta tha se “ato do të jenë në funksion të Kodit. LSI do të ketë programin e saj dhe në çdo rast ajo do të dalë me simbolet e saj, pasi kodi është i tillë, ku votohet për subjektin politik dhe jo për koalicionin”.

Advertisement