Shkodër | Olldashi inspekton autostradën Shkodër-Hani i Hotit

Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, inspektoi punimet që po kryhen në autostradën Shkodër-Hani i Hotit, me gjatësi 42 kilometra dhe gjërësi 15 metra. Ky investim shumë i rëndësishëm po realizohet me fondet e akorduara nga Qeveria Italiane dhe ajo Shqiptare në vlerën 31 milion ë e 500 mijë euro. “Jemi në kilometrat e fundit të shtresës së tapetit dhe pothuajse rruga po shkon drejt përfundimit. Brenda pak ditësh do të fillojnë punimet në proçesin e vizimeve për të kompletuar segmentin ndërurban të rrugës, dhe brenda datës 15 mars, pra për një periudhë një muaj e gjysëm nga dita e stome, gjithçka do të jetë e përfunduar”, theksoi ministri Olldashi. Olldashi bëri të ditur se së bashku me drejtorin dhe administratorin e ri të CEZ-it, do të punohet për të sistemuar edhe pjesët e mbetura të kabllove të tensionit që kalojnë në këtë segment. Ai shtoi se janë vënë në rrugën e zgjidhjes edhe ndërthurjet që ka rruga me projektet e ujësjellësit dhe të kanalizimeve të qytetit të Shkodrës, çka do të thotë që brenda muajit maj e gjithë rruga do të jetë përfundimisht e mbyllur. Projekti në fjalë, sipas ministrit Olldashi, është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Shkodrën, por edhe për të gjithë rrjetin rrugor kombëtar, duke pasur parasysh që kjo rrugë të çon drejt një pike kufitare shumë të rëndësishme, ku kryhet një volum i madh qarkullimi për mallrat dhe njerëzit që kalojnë përmes saj.

Advertisement