Kosovë – Sejdiu letër urimi Rasmussen-it dhe falenderimi Scheffer-it

Në urimin e presidentit Sejdiu për Rasmussenin, ndër të tjera, Sejdiu ka kujtuar me kënaqësi të veçantë, takimin me Rasmussenin, në shtatorin e vitit që shkoi, dhe zotimin e tij të palëkundur se do t’i qëndrojë afër institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e synimeve të tyre euroatlantike. “Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë të vendosur për të ndërtuar një forcë të veten moderne të mbrojtjes, e cila do të jetë një ditë kontribuuese direkte në operacionet paqeruajtëse të NATO-s kudo në botë, për të mirën e paqes dhe të sigurisë së kombeve”, thuhet më tej në urim. “Duke qenë thellësisht të bindur për përkushtimin Tuaj personal dhe të gjithë Aleancës Veriatlantike për të ndihmuar vendin tonë në udhën e mëtejshme të integrimit, urojmë që të keni shëndet, fat dhe suksese”, thekson në urimin e tij presidenti Sejdiu. Ndërkaq, në falenderimin për sekretarin e deri tanishëm, Jaap de Hoop Scheffer, Sejdiu ka vlerësuar sukseset e shumta të NATO-s gjatë udhëheqjes së tij, që kulmoi me anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në këtë aleancë, si një akt shumë domethënës për sigurinë e kësaj pjese të Evropës Juglindore.

Advertisement