Tiranë | Berisha: taksa e sheshtë, optimale; Rama: Amerika votoi taksën progresive

Kryeministri Berisha kërkoi sot njohjen në Shqipëri të lejeve të drejtimit të marra në vendet e tjera. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha kërkoi gjithashtu që të mos krijohen radhë në pagesat e taksave dhe kontrollin e automjeteve. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të ndihmojë me fonde biznesin social ndërsa kërkoi edhe bashkëpunimin e biznesit për krijimin e këtij fondi. “Fondi i biznesit social synon të punësojë njerëzit më të varfër që të hapin biznesin e tyre. Ata që dëshirojnë që këtë fond ta derdhin në biznesin social ne do të hartojmë ligjin që ta bëjmë të mundur këtë”, tha Berisha. Kreu i qeverisë nuk kurseu edhe akuzat për taksën progresive të propozuar nga Partia Socialiste. Berisha citoi një studim ndërkombëtar ku thuhet se taksa e sheshtë është taksa më optimale. “Studimi thekson se në pamje të parë kjo taksë shton barazinë, por në fakt kjo taksë e thellon më shumë pabarazinë. Prandaj ky parim sot duhet pranuar. Taksa progresive përbën një kërcënim serioz dhe uroj që zoti Rama mos ta përdorë atë”, shtoi Berisha. “Uroj që është një xhaketë e vjetër si dordolecat që varet në një arë gruri në një dru që të mos e hanë zogjtë, por të shërbejë për t’i trembur. Se absolutisht për sa i përket pushtetit ia thashë edhe në takimin tjetër, ai është si kryepersonazhi i Buxatit,që mbeti 36 vjet në pritje”, u shpreh Berisha. Ndërkohë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar ne profilin e tij ne Twitter. “Sot KM ynë thotë që dhe Amerika e ka kapur që taksa e sheshtë është optimale kurse progresivja është dordolec! Kush është dordoleci mes tyre?” shkruan Rama. Sipas tij, pardje ne SHBA u betua Presidenti që mori votën për të ulur taksat e 95% të amerikaneve dhe për të bërë që kush fiton më shumë të paguajë më shumë.

Advertisement