Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka dhënë sot një konferencë në të cilën është fokusuar në ato që i quajti probleme me rendin në vend. Duke marrë shkas edhe nga lajmi i ndarjes nga jeta të shefit të krimeve të Matit, Musa Skura, Rama e cilësoi si tepër alarmante situatën e rendit duke filluar që nga krimi i rrugës e deri tek ai i organizuar. Në vlerësimin e Ramës, përgjegjës për këtë situatë të krijuar janë vet drejtuesit e ministrisë se Brendshme, të cilat sipas tij janë kthyer në një kupolë nga e cila buron vetëm korrupsion. Më konkretisht Rama tha se, “si pasojë e rënjes së autoritetit të policit, e mostrajtimit financiar të tij, e korrupsionit në radhët e strukturave të rendit dhe e moskordinimit mes tyre, sot Shqipëria ka koficientin më të lartë të vrasjeve për banorë në Europë”. Ai tha se shifrat që servir Ministria e Rendit, që flasin për ulje të nivelit të krimit, janë të manipuluara me qëllim krijimin e një imazhi që nuk ekziston. Lideri opozitar bëri edhe zotimet e radhës për përmirësimin e këtij fenomeni që trajtoi. Në formën e premtimit ai iu drejtua publikut se, “Brenda 300 ditëve nga fillimi i qeverisjes së Partisë Socialiste, do të shihni një fytyrë krejt tjetër të policisë së shtetit shqiptar, nga ajo që vepron sot”. Në përmbyllje të konferencës Rama bëri të ditur se, ndër pikat kryesore në programin politik të partisë që drejton është edhe ringritja e autoritetit të policëve e kryepolicëve si dhe trajtimi i tyre i denjë në shërbim të përmirësimit të kësaj situate, të krahasuar prej tij me atë të viteve ’97.