Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për qetësi në Luginën e Preshevës, pas heqjes së lapidarit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga ana e xhandarmërisë serbe. “Kombet e Bashkuara përcjellin zhvillimin e situatës në Luginë dhe bëjnë thirrje për qetësi”, ka deklaruar Martin Nesirki, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon. “OKB-ja vazhdimisht ka theksuar nevojën e pajtimit ndërkombëtar dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar Nesirki. Xhandarmëria serbe, me urdhër të Qeverisë ne Beograd, ka larguar të dielën lapidarin e ushtarëve të rënë të UÇPMB-së, i cili ndodhej para Kuvendit Komunal në Preshevë. Një gjë e tillë ka nxitur protesta por edhe reagimin e autoriteteve, si shqiptare ashtu edhe ndërkombëtare. Lapidari u kushtohej shqiptarëve që luftuan për më shumë të drejta në Luginën e Preshevës.