Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dënoi me vendosmëri aktin e fundit provokativ të autoriteteve të Beogradit, të cilat zgjodhën gjuhën e forcës për të hequr përmendoren e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Në një deklaratë për shtyp të Presidentit Nishani thuhet se ndërkohë që autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës po vepronin me maturi dhe në mënyrë institucionale për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, Beogradi përdori forcat policore, duke dëshmuar se nuk është i çliruar ende nga mentaliteti dhe fobitë e së shkuarës dhe se kur bëhet fjalë për shqiptarët ai zbaton standarde të dyfishta. “Veprime të tilla dëmtojnë rëndë situatën e brishtë në Luginën e Preshevës, stabilitetin në rajon dhe frymën e dialogut e mirëkuptimit, me vështrim nga e ardhmja, të cilën po përpiqemi të ndërtojmë me përpjekje dhe durim”, citohet deklarata e Kreut të Shtetit. Presidenti shpreh më tej shqetësimin për veprimin e dhunshëm të dëmtimit të varrezave të komunitetit serb në Kosovë, i cili është gjithashtu dhunim flagrant i traditës shqiptare dhe në kundërshtim të plotë me interesat legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe shqiptarëve në të gjithë rajonin.