Tiranë – Sot ceremonia e depozitimit të instrumenteve të ratifikimit

Protokollet e anëtarësimit u nënshkruan nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO- s në korrik të vitit 2008 dhe brënda një kohë të shkurtër ato u ratifikuan nga Parlamentet e 26 vëndeve anëtare të saj, çka bëri të mundur ftesën zyrtare të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Në Samitin e Strasburgut Shqipëria do të marrë pjesë si anëtare e Aleancës politike dhe ushtarake më të fuqishme që ka njohur historia, duke siguruar të ardhmen, lirinë dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror. Një ditë më parë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Jaap de Hoop Scheffer, i dërgoi ftesën Shqipërisë të aderojë në Traktatin e Atlantikut të Veriut‏. Në letrën drejtuar Ministrit të Jashtëm Basha, Z. Jaap de Hoop Scheffer, ndër të tjera, shkruan: se “Jam i lumtur t’ju informoj se të gjitha Palët në Traktatin e Atlantikut të Veriut kanë notifikuar pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikimin e Protokolleve të Aderimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, nënshkruar në Bruksel më 9 Korrik 2008. Rrjedhimisht, protokollet kanë hyrë në fuqi. Në emër të gjitha palëve, vijon më tej letra e Z. Scheffer për Ministrin Basha, jam veçanërisht i nderuar ti komunikoj Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ftesën për të aderuar në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Në përputhje me nenin 10 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, Republika e Shqipërisë do të bëhet palë në këtë Traktat ditën e depozitimit të instrumentit të saj të aderimit pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë në vijim të letrës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, Ministri i Jashtëm, Z. Lulzim Basha, udhëzoi dje ambasadorin tonë në Washington, të depozitojë instrumentin e ratifikimit të Aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës akt i cili pritet të kryhet ditën e sotme.

Advertisement