Angli – Obama mbërrin për samitin mbi krizën ekonomike

Së bashku me udhëheqës të tjerë botërorë, ai do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të G20-s në një ndërtesë konferencash jo shumë larg qëndrës financiare të kryeqytetit britanik ku fokusi i këtij samiti është të mos lejohet që kriza e tanishme ekonomike të përsëritet. Axhenda e Obamës do të vazhdojë me samitin e NATO-s në kufirin franko-gjerman e më pas vizita në Republikën Ceke e Turqi. Sipas korrespondentëve të huaj, ky rrugëtim i Obamës do të jetë në fakt një mision për t’i rikthyer Shteteve të Bashkuara rolin e liderit në rrafsh diplomatik. Përpara nisjes, Obama kishte pohuar se grupi i 20 vëndeve më të industrializuara dhe atyre në zhvillim, duhet të japë një mesazh të fuqishëm uniteti për t’ju kundërvënë krizës ekonomike globale. Shumë vënde ia hedhin fajin për krizën Shteteve të Bashkuara dhe sistemit të saj bankar liberal. Në samitin e NATO-s, presidenti do të përqëndrohet tek Afganistani. Obama ka në plan të dërgojë 21 mijë trupa të tjera amerikane si pjesë e strategjisë së tij të re të luftës. Shumica e vëndeve të NATO-s kanë hezituar t’i përgjigjen kërkesës amerikane për të dhënë një kontribut më të madh ushtarak në Afganistan. Por ato po shikojnë mundësinë që të luajnë një rol më të madh jo-luftarak, si trajnimi i policisë dhe përgatitjet për zgjedhjet.

Advertisement