Tirane – Presidenti Topi, te merren masa per te luftuar fenomenin e gjakmarrjes

Mungesa e koordinimit midis institucioneve shtetërore dhe mos zbatimi i ligjit ndaj kujtdo që vret janë disa nga faktorët që ndikojnë në ekzistencën dhe zgjerimin e fenomenit të gjakmarrjes. Kreu i shtetit Bamir Topi, i cili është edhe kryetari i Këshillit Koordinues në luftën kundër Gjakmarrjes, theksoi domosdoshmërinë e këtij koordinimi për të luftuar fenomenin, por edhe burimet e lindjes dhe nxitjes së tij. “Unë gjykoj se ne kemi nevojë për një vlerësim të ri të fenomenit, të përmasave të tij, faktorëve që e nxisin apo promovojnë atë dhe masave që duhen ndërmarrë për ta luftuar këtë fenomen. Çdo institucion ligjor e kushtetues ka përgjegjësi dhe detyra konkrete të caktuara nga ligji integral i tyre”- tha Presidenti Topi. Ndër të tjera Topi theksoi se “Shteti ka detyrë ekskluzive të zbatojë ligjin ndaj kujtdo që vret, kujtdo që sulmon jetën dhe lirinë e tjetrit apo kujtdo që kërcënon jetën e tjetrit. Kjo përgjegjësi është në radhë të parë e Policisë së Shtetit, e organeve të drejtësisë dhe e pushtetit vendor”. Nëntorin e kaluar Presidenti i Republikës thirri mbledhjen e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes ku dhe u propozuan detyrat konrete për të gjitha institucionet anëtare të këtij këshillime qëllim organizimin dhe garantimin më të mirë të masave në luftën kundër gjakmarrjes.
Advertisement