Në një konferencë për shtyp, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në LSI, Ylli Manjani, tha se “rreth 159 qendra votimi në të gjithë vendin do të çelen nesër në orën 08:00 të mëngjesit për të nisur votimin për kreun e LSI-së”. Duke paraqitur fletët e votimit si dhe procedurat që do të ndiqen gjatë votimit, Manjani theksoi se “në çdo qark është ngritur dhe funksionon një komision zonal, i cili do të monitorojë procesin e votimit. Deri tani është shpërndarë e gjithë baza zgjedhore dhe nesër çdo gjë është gati për të nisur votimet”. Sipas tij, votimet do të zgjasin deri në orën 17:00 dhe numërimi i votave do të bëhet në nivel qarku nga grupet e numërimit në komisionet zonale të zgjedhjeve. “Ky është vetëm hapi i parë i rinovimit të forumeve drejtuese. Javën e ardhme do të mblidhet Konventa Kombëtare e LSI, e cila me votim e numërim elektronik do të zgjedhë kryesinë e partisë. Kjo risi teknologjike aplikohet për herë të parë në një parti politike”, tha Manjani. Ai u shpreh se “komisioni qëndror i zgjedhjeve në LSI do të njoftojë opinionin pubik për zhvillimet e mëtejshme të procesit zgjedhor”.  

Advertisement