Tiranë | Kryeministri Berisha tek “Zyber Hallulli”: fëmijët të jenë sa më afër me kushtet e familjes

Kreu i qeverisë u shpreh se ky rikonstruksion është bërë me një koncept të ri për jetesën, arsimimin dhe argëtimin e këtyre fëmijëve. “Sot vijmë për të inauguruar transformimin e kësaj strehe në një koncept të ri, sistemimin e fëmijëve në këtë shtëpi-shkollë në apartamente, bazuar në konceptin shkollë dhe familje, me një koncept shumë më të ri, më funksional, më të rëndësishëm”, tha Berisha. Kryeministri premtoi se “do të bëjmë gjithçka që fëmijët të jenë sa më afër me kushtet e familjes, që brenda tyre të ketë sa më shumë elemente të familjes”. Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “ky rikonstruksion vjen në ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, shqiptares që i dha më shumë se kujtdo tjetër këtij vendi”. “Nderimi i saj, duke inauguruar një model të ri të shtëpisë për kujdesin për fëmijët është nderimi më i madh i asaj që ne mund t’i bëjmë sot”, u shpreh Berisha. Sipas Kryeministrit, “Nënë Tereza ishte në ndihmë të jetimëve, të të sëmurëve, të qënieve njerëzore të braktisura nga shoqëria, familja. Ajo besonte se dashuria është forca më e madhe e njeriut për të ndryshuar për mirë jetën e tjetrit. Duke u përulur me nderim të madh para veprës dhe jetës së saj, ne vazhdojmë me vendosmëri në rrugën e bamirësisë dhe kujdesit për ata që janë në nevojë, si detyrim madhor i shoqërisë për të lehtësuar vuajtjet dhe dhimbjet”. Kryeministri Berisha falenderoi edhe Agjencinë turke të ndihmave, e cila, siç u shpreh kreu i qeverisë, “krahas investimit 50 milionë lekë të qeverisë, investoi rreth 40 milionë lekë, në mënyrë që kjo strehë të shndërrohet në një shtëpi argëtimi, studimi, jetese”. “Do bëjmë gjithçka që fëmijët, që nuk mund të jetojnë në familjen e tyre, të gjejnë familje të dytë në shtëpinë e kujdesit për ta”, siguroi Kryeministri Berisha.

Advertisement