“Sapo ka ndodhur ajo që shqiptarët e kanë pritur prej vitesh dhe vonesa e dhënies së statusit të vendit kandidat për 2 vite me radhë ishte jo për faj të europianëve, por të klasës politike shqiptare”, deklaroi Ruçi, në seancë plenare të Kuvendit. Ai shtoi se, Kryeministri dhe Ministrja e Integrimit në vend, që nxitojnë të marrin flamurin në dorë për meritat e marrjes së statutit, duhet të punojnë për të plotësuar kushtet e vendosura pasi këtë radhë koha është e shkurtër. “Opozita është koshiente që Shqipëria ka probleme për standardet demokratike. Ne falenderojmë KE-në për vlerësimin pozitiv, pavarësisht se vendi ynë ka probleme me drejtësinë, korrupsionin, mungesën e pavaresisë së institucioneve, liritë dhe të drejtat e njeriut”, tha Ruçi. Kreu i grupit kuvendor të PS-së vuri në dukje se jemi këtu si opozitë për vendosjen në binarë të qeverisë. “Jemi këtu si opozitë për të konsoliduar sistemin e drejtësisë, për të luftuar korrupsionin qeveritar, kriminalitetin deri në 2013-ën, për të bërë zgjedhje të lira e demokratike, të çlirojmë institucionet e pavarura kushtetuese si dhe për liritë dhe të drejtat e njeriut”, tha Ruçi. Ruçi i kërkoi gjithashtu qeverisë të potësojë kushtet e kërkuara nga grevistët ish të përndjekur politik, duke i kërkuar gjithashtu që për këtë çështje të mos fajësojë opozitën.