Tiranë | Debate Topalli-Majko për ish-të përndjekurit

Deputeti Majko kërkoi nga qeveria që t’i përgjigjet grevës së ish-të përndjekurve duke tentuar të negociojë me ta. “Unë dola sot këtu për të thënë se ish-të përndjekurit kërkojnë thjesht negociata me qeverinë. Kjo nuk është as grevë politike dhe as grevë e PS-së, por është grevë e një shtrese, e cila ju ka mbajtur mbi supe”, iu drejtua Majko përfaqësuesve të maxhorancës në Kuvend. Në reagim të kësaj deklarate kryetarja Topalli tha se opozita, përfshi këtu dhe deputetin Majko si ish-kryeministër, duhet të ndjehet e turpëruar se kur ka qënë në qeverisje nuk ka bërë asgjë për shtresën e ish-të burgosurve politikë. “Duhet të turpëroheni sot, ti i pari, dhe pastaj shokët e tu. Nuk po flas këtu për partinë mëmë që i pushkatoi, i torturoi dhe i internoi këta njerëz, por po flas për një ish-kryeministër që i ka dhënë zero lekë, zero shërbime, zero mundësi. Duhet të turpërohesh ose të paktën kërko të falur, ti dhe gjithë të tjerët”, u shpreh Topalli duke iu drejtuar Majkos. Debati mes tyre u shoqërua me replika të ashpra dhe akuza të ndërsjella për shtresën e ish-të përndjekurve.  

Advertisement