Strasburg | Kryeministri Berisha: Shqipëria, vend unik në progresin e saj

Në emër të Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Kryeministri Berisha, në sesionin e ditës së sotme, me temë “A kanë nevojë tregjet për demokracinë dhe anasjelltas?”, i është referuar pikërisht modelit të Shqipërisë gjatë ecurisë së saj në 20 vite. “Tema është shumë e rëndësishme, pasi tregu ka nevojë për demokraci, dhe dua ta ilustroj me rastin e Shqipërisë, pasi është një vend unik. 20 vite më parë, doli nga regjimi komunist dhe tani është një vend shumë i madh, ku tregtia e lirë është e rëndësishme, ku respektohet e drejta e pronës dhe liria fetare. Gjatë 20 viteve të zhvillimit Shqipëria ka arritur tregues të vendeve të zhvilluara”, u shpreh Berisha. Duke u fokusuar në ndryshimet madhore të vendit, konsolidimin e demokracisë dhe tregun e lirë, si edhe zhvillimin ekonomik, të cilat kanë në bazë të tyre lirinë, Berisha u shpreh se “Shqipëria është një rast unik sepse 20 vite më parë vendi renditej në tre vendet më të varfëra në botë, ndërsa sot jep shembullin e zhvillimit ekonomik dhe renditet ndër vendet me të ardhura të mesme të larta”. “Shqipëria ka bërë progrese të mëdha gjatë këtyre 20 viteve demokraci, duke u renditur ndër vendet me rritje ekonomike 4 herë më të lartë se disa nga vendet e rajonit, ku disa prej tyre kanë rënë në recesion”, tha Berisha. Kreu qeverisë foli edhe mbi arritjet në strehim, arsim dhe shëndetësi. “Shqiptarët, në vitin 2001 kishin banesa për 1000 banorë me pak se secili komb evropian në vitin ’80. Shqiptarët, në vitin 2011, lënë pas në banesa për 1000 banorë, 5 kombe anëtare të BE-së dhe anëtare të OECD-së. Shqiptarët nuk kanë sot një nga sistemet shëndetësore me cilësi më të lartë, por kanë një nga sistemet shëndetësore me akses më të lehtë. Renditen të tretët në Evropë për sa i përket aksesit të lehtë në sistemin shëndetësor. Shqiptarët trashëguan një prapambetje të qartë në arsimin e lartë dhe pësuan një rënie të madhe në arsim. Sot, niveli arsimor ëshë rritur ndjeshëm”, tha Berisha. Sipas Kryeministrit, Shqipëria ka shumë arsye për të qenë e lumtur me rrugën e zgjedhur. “Vendi im është hasur me një ndër krizat më të këqija siç ishin skemat primaidale, ku shqiptarët humbën të gjithë kursimet e tyre. Ajo çka ndodhi më pas ishte një vakuum i tmerrshëm. Është shumë e rëndësishme që tregjet të zhvillohen në mënyrë të shëndetshme. Pas 10 vitesh, pas kësaj krize, nuk ishte më radha jonë, por ishte radha e të gjitha vendeve të tjera. Kriza në zonën euro, është si Shqipëria në vitin e skemave piramidale. Por fajtore për krizën tek ju është elita bankare”, deklaroi Kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë, “demokracia sot i ka vënë kufinj tregut. Kjo është një krizë që dëshmon se sistemi nuk ka funksionuar”.  

Advertisement