“Ne ia kemi thënë qeverisë që nga viti 2007 se taksa e sheshtë prej 10%, që vuri për biznesin, trefishoi barrën mbi biznesin e vogël dhe solli pasoja rrënuese në vite, ku pa dyshim ky është viti më i vështirë”, u shpreh Rama në një deklaratë për shtyp. “Duhet hequr urgjentisht taksa e biznesit të vogël dhe duhet kaluar pa dyshim edhe nga taksa e sheshtë te taksimi i ndershëm. Një furrë buke nuk mund të taksohet njësoj si një fabrikë dhe as një kafene në periferi nuk mund të taksohet njësoj si Sheratoni në qendër të Tiranës. Në këto kushte biznesi i vogël është fikur si motor”, tha Rama. Ai premtoi se me ardhjen në pushtet PS do ta heqë këtë taksë, por 9 muaj në kohën e një krize si kjo janë shumë për biznesin.