Tiranë | Imami: nuk kemi kontakte me shtetasin serb Tesic

Gjatë një prononcimi për mediat, ministri Imami siguroi se në procesin e shitjes së armëve nuk ka asnjë kompani që ndodhet në listën e zezë. “Ne e kemi botuar listën e agjencisë së kontrollit të eksportit dhe nuk kemi pasur asnjë vërejtje pasi jemi një vend serioz i NATO-s, që i kryejmë me seriozitet detyrat e integrimit”, deklaroi ai. Sipas ministrit, padisë së djeshme të Ministrisë së Mbrojtjes ndaj deputetit Erion Braçe do t’i bashkohet dhe një padi personale për shpifje, pasi Ministria e Mbrojtjes dhe ministri i saj nuk kanë asnjë lloj kontakti me shtetasin serb Tesiç. Ky fundit akuzohet nga opozita se ka nënshkruar kontrata për tregti municionesh, me zyrtarët shqiptarë të mbrojtjes. “Tre akuza të njëpasnjëshme kanë rënë dhe kanë dështuar, pasi informacioni i Braçes është marrë në rrugë të kundraligjshme dhe është i mangët. Flitet për armatosje të SHIU-t. Sigurisht që SHIU merr armë në bazë të tabelave të miratuara. Ato armë që kanë qënë të planifikura për t’u blerë nuk u blenë për shkaqe burokratike dhe financiare”, shtoi ministri. Ministri Imami iu përgjigj dhe akuzave të deputetit të PS-së Erjon Braçe për paratë e diferencës së shitjes së armëve, duke i cilësuar si të pavërteta, pasi asnjëherë nuk është bërë një shitje kaq e madhe sa e deklaron PS-ja. Sipas tij, qëllimi i akuzave dhe shpifjeve është të sabotohet tregtia e ligjshme e armëve, që i jep mundësi MM të mbështesë demontimin që është një nga zotimet themelore të ushtrisë shqiptare, në kuadër të NATO-s.

Advertisement