Tiranë | Përzgjidhen dy kandidatura për kreun e ri të KQZ-së

Komisioni i ligjeve mbërriti në këtë përfundim pas garës së 16 kandidaturave, ku në fund me votat e mazhorancës u kualifikuan katër emra, Marsida Xhaferllari, Lefterie Lleshi, Endrit Reka dhe Haki Mustafa, ku për dy të fundit Partia Socialiste deklaroi se janë automatikisht të skualifikuar pasi nuk përmbushin kriteret ligjore për tu bërë pjesë e kësaj gare. Në bazë të kodit elektoral opozita ka të drejtën e skualifikimit të dy kandidatëve dhe në kushtet kur janë katër më të votuarit automatikisht 2 të tjerët i drejtohen seancës për votim. Ndërkaq komisioni i ligjeve pritet të mblidhet para seancës së kësaj të enjte për të zyrtarizuar qëndrimin e Partisë Socialiste për 2 kandidatët e më pas dy emrat që opozita vendos të mos i përjashtojë nga gara do ti nënshtrohen votimit. Ndërkaq kryetari i ri i KQZ-së gjatë votimit duhet të marrë të paktën 71 vota në Parlament për t`iu votëbesuar më pas administrimi i zgjedhjeve. Ndërkaq pas dëgjesës në komision edhe të propozimeve të partive politike për anëtar të KQZ-së, seanca e së enjtes do të votojë strukturën e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të ketë në përbërje 2 përfaqësues nga PD-ja, 2 nga PS-ja, 1 nga LSI-ja dhe një nga PBDNJ dhe kryetari i cili kaloi përmes procedurave të votimit në komision.  

Advertisement