Nënkryetari i grupit kuvendor të Partisë Socialiste, Erjon Braçe ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Mbrojtjes, pasi sipas tij “është kapur në flagrancë në një marrëdhënie tregtare me Serbinë e listës së zezë të OKB-së!” Gjatë konferencës së radhës për shtyp Braçe është shprehur se janë dy rastet që e vënë nën akuzë ministrin dhe shërbimet e specializuara në varësi të tij: “I pari rasti i raketave, në të cilin dukshëm Ministria e Mbrojtjes nënshkruan kontrate me “Moon Storm” dhe pas zbulimit të saj në Jemen si kompani e Tesiç nga partnerët tanë strategjikë, zëvendësohet me një kontratë të re, me një tjetër kompani të përfaqësuar nga i njëjti njeri, por ende me emër të pa zbuluar, “Zahen Limited”; Dhe rasti i dytë, ai predhave të mortajave, në të cilin Ministria e Mbrojtjes insiston, madje favorizon në leje e licenca, afate të tyre, kompaninë “Moon Storm” të Slobodan Tesic”. Më tej deputeti socialist ka theksuar se nga faktet e denoncuara deri tani rezulton se marrëdhëniet tregtare të Ministrisë së Mbrojtjes karakterizohen nga monopoli i kompanive serbe në tregtinë e këtyre mallrave dhe korrupsioni, veçanërisht në çmimet me të cilat kjo ministri shet armë e municione tek kompani të ndryshme. Për të ilustruar më qartë këto veçori, Braçe ka paraqitur dokumente që tregonin se në shitjet e disa mallrave diferenca në çmime ka qenë në dëm ekonomik me qindra mijë dollarë për buxhetin e shtetit dhe përfitim për kompanitë. “Janë disa dhjetëra milionë dollarë pasuri që mund t’i shërbenin buxhetit të shqiptarëve. Fatkeqësisht, po u shërbejnë llogarive private të zyrtarëve”.