“Në rast se i referohemi raportit “Doing Busines”, Shqipëria sot renditet më ulët sesa më parë me disavantazhe shumë domethënëse në fushën e biznesit. Interferenca konstante politike dhe ndërhyrje të vazhdueshme deformuese me politika për biznesin, që në fakt kthehen në bumerang për ekonominë familjare të mbështetur mbi biznesin e vogël, në radhë të parë. Jemi të gjithë dëshmitarë se sa shumë herë ka ndryshuar legjislacioni fiskal në një periudhë 7 vjeçare, 60 e kusur herë.” Lideri i opozitës Edi Rama tha se për socialistët sistemi i taksës së sheshtë konsiderohet një dhunim i më të dobëtëve dhe grabitje sistematike. Po ashtu lideri i opozitës duke bërë një analizë të gjatë se çfarë ka ndodhur me taksën e biznesit të vogël në vite, shprehu fort vendosmërinë e tij dhe të forcës që drejton për ta hequr këtë taksë pasi PS të marrë qeverisjen e vendit. “Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël. Taksa e biznesit të vogël ka pasur rolin e saj në historinë e procesit të decentralizmit të pushtetit vendor. Por tanimë koha e kësaj takse ka kohë që ka kaluar. E kemi propozuar prej kohësh ndryshimin e skemës dhe tani jemi të gatshëm që ta premtojmë dhe të angazhohemi përpara gjithë sipërmarrësve të vegjël të këtij vendi, se nuk do ta paguajnë më taksën e biznesit të vogël. Ajo taksë nuk do ekzistojë më! Nga ana administrative është një taksë e ngatërruar, komplekse dhe e kushtueshme për qeverisjet vendore. Heqja e taksës për biznesin e vogël do të lehtësonte në mënyrë të ndjeshme në një fazë të parë. Por nuk është vetëm kjo, ne do të kemi një politikë të re dhe radikalisht të ndryshme nga ajo e ndjekura deri sot, për të motivuar biznesin e vogël për ta kthyer atë në një forcë mbi të cilën do të mbështetemi, për ta futur ekonominë në një cikël normal.” Kryetari Rama është angazhuar publikisht për një skemë modernizuese për të gjithë sistemin fiskal në vend.