Tiranë | Rama: do të bëjmë gjithcka për statusin

Ai iu referua vizitës së fundit në Bruksel, ku tha se nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, mori mesazhin inkurajues që vendi mund të marrë statusin e kandidatit për në BE. “Gjatë vizitës në Bruksel mora nga komisioneri Fyle përgëzimet për rolin e opozitës parlamentare në funksion të përpjekjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe një mesazh inkurajues për mundësinë që Shqipëria të mund ta kalojë provimin e vjeshtës, duke vazhduar këtë përpjekje deri në sekondën e fundit. Pa dyshim është një rrugë ende e përpjetë, por mundësia ekziston dhe ne socialistët do të bëjmë gjithçka që Shqipëria dhe shqiptarët të mos ndëshkohen për të tretën herë radhazi këtë vjeshtë”, tha Rama. Statusi i kandidatit, sipas tij, “është një domosdoshmëri për të mos e lënë Shqipërinë të izolohet në batakun e keqqeverisjes dhe të krizës së gjithanshme që ka pllakosur vendin për shkak të keqqeverisjes”. Kreu i PS-së theksoi se marrja e statusit për Shqipërisë do të ishte një pikëmbështetje e fortë për të përballuar sfidat e pas zgjedhjeve të qershorit, “kur do të na duhet të qeverisim për të rimëkëmbur ekonominë dhe për të ribashkuar Shqipërinë me Europën”. “Shqipëria europiane për ne është një vizion shumë më i thellë dhe më i gjerë se sa një listë ligjesh që duhen miratuar dhe që pastaj nuk implementohen asgjëkundi, duke e thelluar hendekun mes asaj që thotë ligji dhe asaj që ndodh përditë në institucionet e shtetit dhe qytetarët e vendit, të mbetur pa shtet”, u shpreh kryetari Rama. Duke u ndalur tek ekspozita e realizuar në Parlamentin Europian në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, Rama kritikoi qeverinë që deri më sot nuk ka arritur të bëjë një ceremoni të denjë për këtë ngjarje të madhe.