Në një konferencë të përbashkët për shtyp me nën/kryetarin e LSI-së, Petrit Vasili, Rama theksoi se “gara do të jetë një ballafaqim i vërtetë platfomash dhe idesh”. “Vendimi për të kandiduar nuk është i lehtë, por është produkt i një reflektimi të gjatë. Duke parë LSI-në përballë sfidave të së ardhmes unë vendosa të kandidoj për të ofruar një platformë më shumë realiste, kompetitive dhe realisht nëse do të jetë ftuese, do të bëjë të mundur që LSI-ja të rrisë peshën, rolin dhe ndikimin e saj në jetën politike të vendit. Reflektimi u bë edhe në bazë të kërkesës të simpatizantëve të LSI-së që mbështesin krijimin e klimës së debatit, ballafaqimit të kandidaturave, me qëllim që, përmes këtij momenti, ne të shfaqim dimensionin real që mbart LSI-ja dhe për të bërë diferencën me pjesën tjetër të politikës dhe në fokus të përgjegjësive që na presin”, theksoi Rama. Ai theksoi se sfida e tij nuk do të jetë kundër kreut aktual të LSI-së, Ilir Meta, po një sfidë për zgjedhjet e ardhdhme parlamentare. “Sfida ime nuk është me Ilir Metën, është një garë për zgjedhjet 2013-ës. Kandidimin nuk e kthej në një garë personale, por është një garë në interes të së nesërmes. Struktura që drejton Vasili, do të krijojë një klimë debati, një garë të ndershme, transparente para publikut. Ne kështu bëhemi realisht të besueshëm në sy të publikut”, shtoi Rama. Ndërkohë nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, theksoi se sot mori fund procesi i kandidimit për kreun e kësaj force politike. “Komiteti organizator u njoh dhe miratoi kandidaturën e Luan Ramës, sekretar i LSI, për të marrë pjesë në garën për kreun e LSI. Besoj që në mënyrë përfundimtare konfirmohet tashmë që kandidaturat zyrtare në garë për kreun e LSI janë Ilir Meta dhe Luan Rama. Komiteti i ka miratuar dhe gara për kreun e LSI dhe fushata konsiderohet e hapur që nesër”, tha Vasili.