Ndrea Prendi, tregoi në dëshminë e tij se Garda kishte marrë informacione se persona të inkriminuar kishin porositur snajpera në Gjermani dhe do të qëllonin kryeministrin Berisha, në momentin që do të largohej nga Kryeministria për në shtëpinë e tij. Ndrea Prendi tha se Garda kishte gjithashtu dyshime se mjeti që tentoi të hynte në kryeministri kishte eksploziv dhe sipas tij, kur makina shpërtheu derën e Kryeministrisë gjendja u agravua. Në dëshminë e tij, ish-kreu i Gardës deklaroi se në momentin që ra kordoni i policisë ai kontaktoi me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha për të rivendosur kordonin, që do të ndihmonte jo pak forcat e Gardës që ishin vendosur në brendësi të godinës së kryeministrisë. “Armët e zjarrit janë përdorur vetëm në zbatim ligjor të nenit 25 dhe në zbatim të nenit 7 të ligjit mbi përdorimin e armëve të zjarrit. Pasi kanë mbaruar fishekët manover është qëlluar me fshekë luftarakë në ajër. Kam qëlluar në ajër edhe me armën time të brezit, por më pas jam goditur dhe kam rënë pa ndjenja.” deklaroi ish-kreu i Gardës.