Tiranë | 7 hidrocentrale të tjera me koncesion

erla-mehilli-kryeministri

Sipas zëdhënëses së Kryeministrit, Erla Mëhilli, janë firmosur konkretisht dhënia me koncesion e hidrocentraleve Qarr dhe Kaltanj, në rrjedhën e sipërme të Osumit, hidrocentralet Babjen dhe Lozhan 2 si dhe Kasollet e Selcës, në rrjedhën e mesme të lumit Devoll, hidrocentrali Guri i Kuq në degët e lumit Osum, hidrocentrali Driza në ujërat e lumit Bistricë, hidrocentrali Potam në degën e lumit Pavël dhe hidrocentrali Denas në lumin e Çemericës. Shuma totale e investimeve arrin vlerën e rreth 6 miliardë lekë, ndërkohë që punësojnë rreth 1500 punonjës të profesioneve të ndryshme. Energjisë së rinovueshme këto hidrocentrale i shtojnë kapacitetin e prodhimit me 18 megavat. “Me këto 7 hidrocentrale numri i hidrocentraleve të dhëna me koncesion në Shqipëri arrin në 332, kapaciteti prodhues në tërësi arrin 1450 megavat, ndërsa vlera e investimit të tyre është mbi 2 miliardë euro”, shtoi Mëhilli. “Këto rritje kapacitetesh energjie të rinovueshme po realizohen jo më para publike, por janë investime 100 për qind private, të nxitura dhe mbështetura nga klima e favorshme investuese e krijuar nga qeveria shqiptare. Në të gjitha hidrocentralet e dhëna me koncesion që do ndërtohen parashikohet të krijohen mbi 25 mijë vende pune në të katër anët e vendit”, tha Mëhilli. Sipas saj, “përpjekjet për të dekurajuar biznesin dhe interesin e tij për koncesione në fushën e energjisë janë anakronike, ziliqare dhe keqdashëse”.  

Advertisement