Tiranë | Rama: dhjetë muaj dialog me shqiptarët

rama

“Ne do të jemi në këta dhjetë muaj që mbeten, deri në ditën e zgjedhjeve për të dialoguar me çdo shqiptar që do rimëkëmbjen e ekonomisë, që do ripërtëritjen e shoqërisë, që do rivendosjen e demokracisë dhe ribashkimin e këtij vendi me Europën”, tha kreu i PS-së. Në fillim të fjalës së tij Rama fajësoi qeverinë për mosmarrjen e masave për parandalimin e situatës së zjarreve në vend, duke theksuar se në 2007-n dhe sivjet janë djegur mesatarisht 2500-3000 mijë hektarë pyje. Qeveria, sipas tij, nuk ka bërë asgjë për parandalimin dhe minizimin e dëmit të pritshëm nga zjarret në sezonin e verës. Rama akuzoi kryeministrin Berisha për heshtjen e tij për “zjarret që bëjnë kërdinë”, pasi sipas këtij të fundit, zjarret nuk janë problem, sepse problemi është vetëm opozita. “Fajësimi i opozitës për çdo dështim të qeverisë është i vetmi avaz që i ka mbetur. Vetëm në tre muajt e fundit janë vrarë dhe plagosur në rrugët pa standarde dhe as rend publik më shumë njerëz se në Irak apo Afganistan të marra së bashku. Kjo sepse nuk funksionon shteti dhe qeveria nuk qeveriset, por vetëm mbahet peng me çqeverisje dhe propagandë kundër opozitës”, theksoi Rama. Duke u ndalur tek paketa e opozitës për ndryshimet kushtetuese, kryesocialisti theksoi se PS pret nisjen e diskutimit për këtë draft, ndërsa ripërsëriti qëndrimin se PS është e gatshme ta votojë draftin për heqjen e imunitetit, sapo të mbyllet diskutimi për paketën e depozituar në Kuvend. “Paketa jonë u etiketua nga qeveria si paçavure. Ne i kemi paraqitur Kuvendit një paketë kushtetuese që ka të bëjë me një reformë thelbësore të sistemit të drejtësisë. Kjo Qeveri të korruptuarish nuk mund ta kuptojë dot që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë të zgjidhen me shumicë të cilësuar. Për propozimet e bëra ne jemi frymëzuar nga të gjitha kushtetutat e vendeve me të rëndësishme të BE-së”, u shpreh Rama. 

Advertisement